Obiliq: 1 ditë. Zubin Potok: 24 ditë gërmime
Më 7 shtator, punëtorët që po pastronin ish-Shkollën Teknike në Obiliq hasën në gjësende të dyshimta. U raportua për dyshime për varrezë masive.
Më 8 shtator, kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, e mohoi: «Policia, qysh ma konfirmuan, nuk ka ndonjë dyshim për momentin.»
Po atë ditë, para kamerave, shefi i Operativës në Policinë e Kosovës, Faton Hashani, u pyet për çfarë dyshohet konkretisht. Përgjigjja: «Nuk mund të ju them kurgjo për çka ka dyshime konkret.» Dhe: gjurmimi e ekzaminimi i vendngjarjes nuk kanë përfunduar ende.
Komuna e mori objektin dhe nisi pastrimin që nga janari — kjo është e vërtetë dhe i takon asaj. Por një varrezë masive në Kosovë nuk e vërteton as një kryetar komune, as policia. E vërteton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, sipas Ligjit Nr. 04/L-023.
SA ZGJAT AJO PUNË? Tre javë më parë, i njëjti Komision gërmoi në Zubin Potok nga 28 korriku deri më 21 gusht — 24 ditë — para se të konfirmonte tri varreza masive me mbetjet e 23 personave. Në Obiliq, pyetja u mbyll brenda një dite.
Ky episod nuk thotë se në Obiliq ka varrezë masive. Askush s'e ka thënë. Thotë vetëm se pyetja u mbyll nga dikush që nuk e mbyll atë pyetje, dhe përpara se ata që e mbyllin të kishin shkuar atje.