100 kamionë gjermanë për Prishtinën — kush s'e nënshkroi?
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha më 7 shtator 2026 se granti i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për ndërmarrjen "Pastrimi" dështoi sepse ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit.
Sipas kronologjisë së paraqitur nga vetë Komuna e Prishtinës më 31 gusht 2026: më 26 shtator 2024 KfW-ja i dërgoi Ministrisë së Financave draftet për një grant prej 4,1 milionë eurosh dhe një kredi të butë prej 20 milionë eurosh — 24,1 milionë faza e parë, brenda një projekti 74,1-milionësh. Faza e parë parashihte rreth 100 kamionë të rinj dhe 10.000 kontejnerë. Letra e përbashkët e Komunës dhe e KfW-së, e dërguar më 15 maj 2026, mbeti pa përgjigje.
Ana tjetër e historisë: Gëzim Sveçla, shef i Grupit të Asamblistëve të LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se marrëveshja nuk eci sepse Komuna nuk e përmbushi një kusht të dakorduar — sigurimin e një kontrate afatgjatë për "Pastrimin" — duke u thirrur në një email të kryeshefit të ndërmarrjes, Petrit Reçica.
Çka nuk e printoi asnjë portal: granti është 4,1 milionë euro, pjesa tjetër e fazës së parë është kredi; dhe KRM "Pastrimi" nuk është ndërmarrje e Komunës së Prishtinës, por kompani rajonale që shërben gjashtë komuna — Prishtinë, Podujevë, Obiliq, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Drenas. Pra kamionët do t'i merrte pikërisht kompania nga e cila Prishtina po ndahet, duke themeluar ndërmarrjen e vet komunale.